Abstract:
Zhvillimi teknologjik dhe lindja e internetit në veçanti, kanë çuar në krijimin e një kanali të
ri komunikimi, i cili ende konsiderohet si revolucioni i shekullit. Ky zhvillim jo vetëm
përfaqëson aftësinë për të dërguar, ose marrë informacion midis njerëzve, të ndodhur në
distancë dhe në vende të ndryshme të botës por, së bashku me përdorimin e sistemeve
kompjuterike, përbën mjet për kryerjen e veprave penale. Disa lloje të krimit tradicional, si
vjedhja e informacionit, mashtrimi, spiunazhi, pedofilia dhe terrorizmi, tani mund të kryhen
edhe përmes sistemeve të reja digjitale. Ky punim analizon historikun, përkufizimin,
legjislacionin ndërkombëtar dhe vendas mbi krimin kibernetik, duke u fokusuar veçanërisht
në rolin e Konventës së Budapestit dhe NATO-s në luftën kundër aktiviteteve kriminale
kibernetike. Disa shtete të prekura nga këto sulme, shohin të nevojshme, përveç aplikimit të
konventave ndërkombëtare edhe nevojën e ndërhyrjes së NATO-s, si organizatë e sigurisë
për të shqyrtuar, krijuar politika për mbrojtjen kolektive kibernetike, si dhe për mundësinë e
aktivizimit të nenit 5 të Kartës së NATO-s. Gjithashtu, në këtë punim do analizohet dhe
sulmi kibernetik që pësojë Republika e Shqipërisë më 15 korrik 2022. Në fund të këtij
punimi, do të trajtohen sfidat që lidhen me adresimin dhe parandalimin e krimit kibernetik,
duke theksuar kompleksitetin dhe natyrën në zhvillim të këtij kërcënimi global. Gjetjet
evidentojnë nevojën emergjente për bashkëpunim dhe për masa më të forta për të luftuar
krimin kibernetik në mënyrë efektive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.